Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 10 prill, Tiranë

Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 10 prill, Tiranë

Më datë 10 prill 2019, nën drejtimin dhe mbështetjen e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (NSA) në fushën e informacionit të klasifikuar dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Hotel Rogner, Tiranë, u zhvillua Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Vendeve të Evropës Juglindore.

Në këtë aktivitet, morën pjesë delegacionet e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Sllovenisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Moldavisë, Bullgarisë, Bosnje e Hercegovinës dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Turqisë. Ky takim u udhëhoq nga Z. Dorian Tola, Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe z. Amer Kapetanovic, Kreu i Politikave të RCC. Me ftesë të DSIK, morën pjesë edhe z. Besfort Lamallari, Zëvendësministri i Brendshëm, z. Artur Metani, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, znj. Vilma Tomço, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Ky takim, i cili kontribuon në  arkitekturën e sigurisë së Evropës, u fokusua mbi çështjet e; forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë të shteteve të Evropës Juglindore pjesëmarrëse në këtë format; bashkëpunimit rajonal në fushën e Sigurisë Kibernetike; krijimit të një sistemi të detyrueshëm edukimi në fushën e sigurisë për individët të cilët njihen me informacion të klasifikuar; implementimit të standardeve të BE për sigurimin e informacionit të klasifikuar; sfidave të bashkëpunimit ndërmjet agjencive të sigurisë; shkëmbimit të përvojave më të mira dhe të përshtatjeve ligjore në të gjitha disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Artikujt e Fundit
Menu